Real Madridi po vazhdon përpjekjet për të përforcuar repartin defensiv para sezonit të ri, ndërsa emri më i përfolur është ai i mbrojtësit francez Ibrahima Konate.
Pas përfundimit të kontratës së tij me Liverpoolin, Konate është bërë një nga lojtarët e lirë më të kërkuar në tregun e transferimeve. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, klubi madrilen po konsiderohet favorit për të siguruar shërbimet e tij.
Bëhet e ditur se drejtuesit e Real Madridit po përgatisin një kontratë afatgjatë për mbrojtësin francez, e cila mund të përfshijë edhe bonuse të rëndësishme nënshkrimi. Transferimi thuhet se gëzon mbështetjen e stafit teknik, ndërsa marrëdhënia e mirë e Konates me bashkëlojtarin e kombëtares franceze, Kylian Mbappe, mund të ndikojë pozitivisht në realizimin e marrëveshjes.
Me fizikun, forcën dhe sigurinë në mbrojtje, Konate shihet si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën madrilene, e cila në vitet e fundit ka afruar disa emra të mëdhenj si lojtarë të lirë.




