Janë mbajtur homazhe te pllaka përkujtimore e zyrtarit policor Triumf Riza dhe njëherësh është vendosur gurthemeli për memorialin kushtuar policëve të rënë në krye të detyrës.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve të larta të vendit, familjarë dhe qytetarë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky memorial është bërë për të nderuar një zyrtar të jashtëzakonshëm policor, i cili para 18 viteve u vra mizorisht në lagjen Dardania në kryeqytet.
“Edhe në të gjallë ka qenë shembull për të gjithë, e tash si hero i Kosovës, si dikush që sakrifikoi kundër bandave kriminale, është bërë inspirim për secilin zyrtar shteti e jo vetëm për Policinë e Kosovës”, tha Kurti.
Babai i Triumfit, Shefqet Riza, falënderoi për ngritjen e lapidarit në vendin ku ai u vra.
“Falemnderoj Kryeministrin për kujdesin e jashtëzakonshëm që ka treguar për ngritjen e lapidarit këtu. Sepse lapidarin pikërisht në atë vend e kanë ngritur shokët e Dardanisë”, u shpreh ai.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Triumf Riza është simbol i luftës ndaj krimit në kryeqytet.
“Në qoftë se Afrim Bunjaku e Enver Zymberi janë simbol të mbrojtjes së integritetit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri, Triumf Riza është simbol i luftës ndaj krimit e shtrirjes së ligjshmërisë në kryeqytet”, tha Sveçla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Riza ishte oficer shembullor i policisë dhe pjesë e njësive speciale.
“Triumfi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve dhe ngritjen profesionale të njësive tona. Fatkeqësisht dora gjakatare e krimit e mori shumë herët dhe e pengoi në rrugën e rritjes dhe kontributin e tij në Policinë e Kosovës”, tha ai.





