Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas monitorimit të një mbledhjeje të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke akuzuar këtë institucion për presion ndaj mediave kritike ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas saj, gjatë mbledhjes është diskutuar për herë të parë mundësia e mbylljes së një emisioni informativ, si “Debat Plus”, në rast përsëritjeje të shkeljeve të pretenduara.
Kusari ka thënë se KPM po tejkalon kompetencat e veta, duke vendosur për çështje që i takojnë gjykatave, si shpifja apo gjuha ofenduese, dhe duke u sjellë si “trup gjyqësor” ndaj mediave.
Ajo ka shtuar se kjo qasje përbën rrezik për lirinë e medias dhe ka paralajmëruar se do të vazhdojë monitorimin e punës së KPM-së, duke u bërë thirrje edhe mediave ta dokumentojnë këtë proces.




