Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se kanë vazhduar aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), në kuadër të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.
Në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga përfaqësitë diplomatike. Sipas KQZ-së, nga 27,724 shtetas të regjistruar për votim në misione diplomatike, kanë votuar 22,860 persona, apo 82.46%.
Ndërkohë, po vazhdon edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës. Deri më tani janë trajtuar mbi 23,300 pako, prej të cilave 22,601 janë aprovuar dhe 755 janë refuzuar, kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit.
Sipas KQZ-së, gjithsej 104,480 shtetas ishin regjistruar për votim përmes postës, ndërsa janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime nga 22 shtete.
Sa i përket numërimit brenda vendit, Elezi bëri të ditur se deri tani procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa janë procesuar 2,271 nga 2,498 vendvotime, apo 90.91%.
Procesi ende nuk ka përfunduar në Gjilan, Prizren dhe Prishtinë, ndërsa rezultatet po publikohen në vazhdimësi në platformën zyrtare të KQZ-së.




