Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kërkuar falje publike lidhur me përfshirjen e emrit të tij në një artikull ku përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke theksuar se nuk ka qenë në dijeni për mënyrën se si ai do të publikohej.
“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Unë kam kërkuar që të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë. Unë kërkoj falje për pavëmendjen time, por askush nuk mund ta vë në dilemë atdhetarizmin tim”, ka deklaruar Basha.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha tha se artikulli në fjalë i përket periudhës kur ai ishte student dhe se nuk kishte lexuar kurrë përmbajtjen e tij, as nuk e kishte ditur që do të publikohej si bashkautorësi me dikë tjetër.
Ai ka shtuar se nuk do të kishte pranuar kurrë të ishte bashkautor në një material ku flitet në mënyrë të papërshtatshme për UÇK-në, duke theksuar se “nuk ka vlerë më të çmuar” për të sesa ajo.




