Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar në rrjetet sociale pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila nuk kishte kuorumin e nevojshëm për shkak të mungesës së tri partive opozitare.
Hoti e ka cilësuar këtë mbledhje veprim si jokushtetues, duke theksuar se mungesa e një nënkryetari e bën mbledhjen joligjore dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Me mbajtjen e mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, në mungesë të një nënkryetari, edhe Kuvendi i Kosovës nis funksionimin jokushtetues. Dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta specifikojnë se Kuvendi i Kosovës konstituohet kur zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët, duke mos lënë hapësirë interpretimi nëse ndonjëri nga nënkryetarët e Kuvendit nuk zgjidhet,” – ka deklaruar Hoti.
Hoti ka zgjeruar kritikat edhe ndaj Qeverisë aktuale, duke theksuar se që nga certifikimi i rezultatit zgjedhor nga KQZ, ajo është duke funksionuar në kundërshtim me ligjin.
“Qeveria e Kosovës në detyrë është duke funksionuar në mënyrë jokushtetuese që nga certifikimi i zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, pasi anëtarët e Qeverisë që janë certifikuar si deputetë nuk mund të ushtrojnë poste ministrore. Ky nuk është opinion, por fakt sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të datës 26 qershor 2025, i cili mbi këtë arsyetim e shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrit të Financave,” – ka shkruar Hoti.
Ai nuk ka kursyer as kritika për presidenten Vjosa Osmani, të cilën e akuzon për neglizhencë dhe mungesë veprimi në mbrojtje të rendit kushtetues.





