Numërimi i votave me postë mbetet ende në fazë të hershme, ndërsa rezultatet përfundimtare mund të sjellin ndryshime në ndarjen e mandateve, ka vlerësuar Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV).
Sipas tij, nga 85,790 zarfe me postë të pranuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë shqyrtuar mbi 60 mijë, ndërsa rreth 2,500 janë refuzuar. Nëse trendi aktual i refuzimit prej rreth 4 për qind vazhdon deri në fund të procesit, numri i votave të vlefshme me postë pritet të arrijë në afërsisht 82,500.
Cakolli theksoi se në faqen e rezultateve të KQZ-së aktualisht janë përfshirë rezultatet e vetëm 57 kutive postare të numëruara, ndërsa deri në fund pritet të numërohen rreth 200 kuti, që do të thotë se deri tani është përpunuar vetëm një pjesë e vogël e votave me postë.
Ai shtoi se trendet e votimit me postë dallojnë nga ato të votimit në ambasada dhe konsullata.
“Nëse përqindjet aktuale të votave me postë mbesin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV do të ishte në zonën e 52 mandateve. Megjithatë, gara për të paktën dy mandate të tjera mbetet e hapur dhe rezultati përfundimtar do të varet nga votat që kanë mbetur për t’u numëruar”, ka shkruar Cakolli.




