Pesë persona të dyshuar si ish-pjesëtarë të formacioneve policore serbe janë arrestuar në kuadër të operacionit të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, të koduar “Reçaku II”.
Sipas autoriteteve, katër prej të arrestuarve janë ish-zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tashmë në pension, ndërsa njëri dyshohet se ka qenë i mobilizuar gjatë luftës në Kosovë.
Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit lidhen me masakrën e Reçakut të ndodhur më 15 janar 1999 dhe se hetimet kanë vazhduar edhe pas ngritjes së aktakuzës së mëparshme për këtë rast.
Autoritetet kanë njoftuar se gjatë operacionit janë kryer bastisje dhe janë sekuestruar prova materiale, përfshirë armë, uniforma, pajisje policore, dokumente dhe para në valuta të ndryshme.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.




