Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve, nën dyshimin për përfshirje në një rast vrasjeje në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit Sh. O., i mituri dhe A. O. akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa A. O. dyshohet edhe për shtytje në kryerjen e kësaj vepre.
Ngjarja ka ndodhur më 14.06.2026 në fshatin Kobaj të Prizrenit, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me emërtimin e një rruge në lagje, e cila ka eskaluar fillimisht në konflikt verbal e më pas fizik.
Sipas Prokurorisë, gjatë përleshjes janë përdorur mjete të mprehta (thika), ku si pasojë viktima A. O. ka humbur jetën, ndërsa i lënduari I. O. ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë të dyshuarve.




