Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar për përdorim 1,432 njësi të një produkti medicinal në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, derisa të përfundojnë analizat laboratorike.
Vendimi është marrë pas një raportimi nga farmacistja përgjegjëse e barnatores së spitalit, e cila ka ngritur dyshime se preparati “Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml” mund të mos jetë në përputhje me specifikat e kërkuara.
Pas sinjalizimit, Inspektorati Farmaceutik së bashku me AKPPM-në kanë kryer inspektim më 17 qershor 2026, duke verifikuar gjendjen e produktit të dyshuar.
Me urdhër të inspektorëve, të gjitha njësitë e produktit janë bllokuar deri në përfundimin e analizave dhe vlerësimeve nga institucionet përkatëse, ndërsa rezultatet pritet të bëhen publike pas përfundimit të procesit.




