Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rolin e shërbyesve civilë në funksionimin e institucioneve, duke theksuar se administrata publike është pika kryesore e kontaktit mes shtetit dhe qytetarëve.
Në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për shërbyesit civilë të dalluar, të organizuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, ai tha se cilësia e shërbimeve publike ndikon drejtpërdrejt në besimin që qytetarët kanë ndaj institucioneve.
Ai u ndal edhe te proceset e rekrutimit në administratë, duke vlerësuar se avancimi profesional duhet të bazohet në meritë, integritet dhe rezultate konkrete në punë.
Gjatë fjalimit, kryeministri në detyrë përmendi edhe zhvillimin e shërbimeve digjitale përmes platformës eKosova, e cila sipas tij po lehtëson qasjen e qytetarëve në shërbimet publike.




