Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, vendet e QUINT-it dhe EULEX-i u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të përshpejtojnë miratimin e akteve nënligjore për përdorimin e simboleve dhe flamujve të komuniteteve.
Në një letër të datës 17 qershor 2026, drejtuar ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thuhet se mungesa e legjislacionit sekondar po krijon paqartësi në zbatimin e kornizës ligjore ekzistuese.
Letra është nënshkruar nga përfaqësues të BE-së, ambasadorët e shteteve të QUINT-it, si dhe shefi i EULEX-it, dhe u është përcjellë edhe Policisë së Kosovës dhe komunave.
Në dokument theksohet se Kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë të drejtën e komuniteteve për të shprehur identitetin e tyre, përfshirë përdorimin e flamujve dhe simboleve përkatëse.
Sipas tyre, mungesa e akteve nënligjore mund të sjellë interpretime të ndryshme dhe zbatim jo të njëtrajtshëm në terren, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet si prioritet.
BE, QUINT dhe EULEX kanë kërkuar që procesi të zhvillohet në konsultim me komunitetet joshumicë dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, deri në përfundimin e kornizës ligjore.




