Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka miratuar unanimisht në Kongresin e saj Vjetor në Ankara një mocion në mbështetje të mediave në Kosovë, të cilat, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), janë përballur me gjoba joproporcionale nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).
Sipas AGK-së, vetëm gjatë dy muajve të fundit KPM-ja ka dënuar nëntë televizione.
Në mocion thuhet se dënimet e KPM-së janë shqiptuar pas kërkesave dhe ankesave të anëtarëve të partisë në pushtet.
EFJ-ja ka autorizuar Bordin Drejtues që t’i bëjë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, si dhe t’i drejtohet zyrtarisht KPM-së me kërkesën që të mos i tejkalojë kompetencat e saj.




