Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur pak para mesnatës në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në territorin e Vushtrrisë.
Sipas Policisë, në aksident janë përfshirë një motoçikletë dhe një veturë, ndërsa si pasojë e lëndimeve të marra ka humbur jetën drejtuesi i motoçikletës, një i ri 22-vjeçar.
Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit e trafikut, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet lidhur me shkaqet e aksidentit po vazhdojnë.




