Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të presë së paku edhe 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, institucioni është njoftuar me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka refuzuar ankesat për rinumërim të plotë të votave të dy kandidatëve të PDK-së.
Elezi ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve, prandaj KQZ do të presë deri në marrjen e vendimeve përfundimtare përpara se të procedojë me shpalljen e rezultateve.
Sipas tij, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të dihet nëse KQZ ka obligime konkrete për zbatim dhe për finalizimin e rezultateve zgjedhore.




