Pas 22 ditësh protesta dhe konsultimesh me qytetarët, grupi koordinues i protestës ka prezantuar një deklaratë zyrtare me pesë kërkesa, të cilat i cilëson si legjitime dhe të panegociueshme.
Deklarata u lexua nga aktivisti Dritan Goxhaj, i cili tha se kërkesat janë rezultat i propozimeve të qytetarëve dhe synojnë ndryshime politike e ligjore në vend.
Ndër kërkesat kryesore janë dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime kushtetuese që do të miratoheshin përmes referendumit popullor.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu anulimin ose shfuqizimin e disa ligjeve dhe paketave ligjore që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, investimet strategjike dhe të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”.
Sipas deklaratës, një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit duhet të hartohet në konsultim me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë.
Grupi koordinues ka bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë në mënyrë paqësore deri në realizimin e kërkesave të paraqitura.




