Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kërkesave për dorëheqjen e tij nga dy kryetarë degësh të partisë, duke i cilësuar ato si pjesë e një projekti që synon dëmtimin dhe përçarjen e LDK-së.
Abdixhiku tha se rezultati i dobët i partisë në Pejë dhe Lipjan, komuna ku LDK qeveris, tregon për një sabotim të thellë brenda strukturave lokale. Ai theksoi se çështja e dorëheqjes së tij është trajtuar në Kuvendin e partisë më 31 janar dhe se anëtarësia ka folur qartë për këtë temë.
Kreu i LDK-së kërkoi dorëheqje morale nga drejtuesit e degëve në Pejë dhe Lipjan për rezultatin e dobët zgjedhor, ndërsa siguroi se nuk do të lejojë realizimin e projekteve që synojnë ndarjen e partisë.
“LDK nuk është konfederatë e interesave lokale dhe as platformë e karrierave individuale. Ajo mbetet parti nacionale dhe nuk do të lejojmë që vullneti i shumicës së anëtarësisë të tjetërsohet”, ka shkruar Abdixhiku.




