Gjatë vitit 2025, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar rreth 91 mijë euro për pensione që u janë ekzekutuar gabimisht përfituesve të cilët tashmë kishin ndërruar jetë.
Sipas raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Financave, janë evidentuar gjithsej 517 pagesa të tilla, të cilat bien ndesh me rregulloret e skemave pensionale dhe ligjet në fuqi.
Auditimi tregon se këto pagesa të parregullta ndodhin kryesisht për shkak të vonesave në raportimin e vdekjeve ose mos-regjistrimit në kohë të tyre në sistemet përkatëse.
Si pasojë, krijohen shpenzime të panevojshme që dëmtojnë buxhetin shtetëror.
Me këtë çështje tashmë pritet të merret Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, pas riorganizimit institucional që ndau kompetencat nga ish-Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.




