Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar tek Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se këto çështje lidhen kryesisht me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale, si dhe paga dhe mëditje.
Konkretisht, shpërndarja e rasteve sipas fushave është: 37 raste në prokurimin publik, 19 raste në subvencione dhe transfere, 8 raste në investime kapitale, 4 raste në paga dhe mëditje dhe 1 rast në të hyrat.
Sipas llojit të institucioneve, 47 raste vijnë nga komunat, 12 raste nga ministritë, 7 raste nga ndërmarrjet publike dhe 3 raste nga institucione të tjera.
Ai theksoi gjithashtu se ZKA ka evidentuar probleme të theksuara në mbrojtjen e pasurive natyrore dhe në menaxhimin e energjisë së ripërtëritshme.
“ZKA ka vërejtur menaxhim jo efektiv të Parqeve Kombëtare për kohë të gjatë. Në parqet ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe ‘Sharri’ janë regjistruar prerje të shumta ilegale dhe ndërtime pa leje. Mungesa e rojeve pyjore ka bërë që deri në 70% e territorit të mbetet pa mbrojtje”, tha ai.




