Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një letër Kuvendit të Kosovës për të kërkuar komentet e deputetëve lidhur me ankesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e partive joshumicë. Ajo që bie në sy është fakti se letra nuk iu drejtua tashmë Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, por Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi.
Kallxo.com ka siguruar këtë letër nga burime zyrtare, ku shihet se Kushtetuesja i drejtohet drejtpërdrejt Loshit për komentet që, sipas procedurës, duhet të merren nga deputetët në lidhje me ankesat e dërguara në Gjykatë, në këtë rast për ankesën e Listës Serbe.
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm, Arben Loshi, të cilit iu drejtua kërkesa e Kushtetueses, tha se, kur Kuvendi është i konstituar, komentet e deputetëve kërkohen nga Kryetari i Kuvendit, ndërsa dokumentacioni përcjellës nga Sekretari i Përgjithshëm.
Në kërkesën që i është dërguar zv.Sekretarit, Kushtetuesja ka kërkuar edhe shpërndarjen për komente te deputetët edhe transkriptet e seancave.
“Prej përfundimit të legjislaturës së tetë, të gjitha shkresat janë dërguar te unë dhe unë i kam përcjellë tek deputetët. Sa herë që kërkohet dokumentacion nga Kuvendi, ai kërkohet prej meje. Në rastet kur Kuvendi është i konstituar dhe kërkohen komente nga Kushtetuesja, ato u dërgohen Kryetarit” – tha Loshi për Kallxo.com.




