Ish-gjenerali amerikan Ben Hodges ka thënë se kriza politike në Kosovë e bën vendin më të cenueshëm ndaj ndikimeve të jashtme dhe përpjekjeve për destabilizim.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Hodges ka deklaruar se NATO do të vazhdojë të kërkojë mënyra për bashkëpunim edhe me shtetet e vogla si Kosova, ndërsa ka theksuar rëndësinë e integrimit të saj në strukturat euroatlantike.
Ai ka vlerësuar se përderisa Kosova mbetet në vendnumërim politik, ajo është më e ekspozuar ndaj aktorëve që synojnë ruajtjen e status quo-së dhe destabilizimin e rajonit.
Hodges ka thënë se shpreson që misioni i KFOR-it të vazhdojë në Kosovë, duke e cilësuar praninë e tij si një faktor të rëndësishëm stabiliteti.




