Policia e Kosovës ka nisur fushatën vetëdijësuese ”Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik gjatë sezonit të verës dhe pritjen e bashkatdhetarëve.
Në kuadër të fushatës janë shpërndarë materiale informuese me këshilla për pjesëmarrësit në trafik dhe udhëzime për respektimin e rregullave rrugore.
Policia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke theksuar se shkaktarët kryesorë të aksidenteve mbeten shpejtësia e lartë, tejkalimet e rrezikshme, lodhja, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe drejtimi nën ndikim të alkoolit.
Gjatë kësaj periudhe do të shtohen kontrollet policore, patrullimet dhe përdorimi i pajisjeve teknologjike si radarët mobil, kamerat dhe dronët për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik.
Policia u ka bërë apel qytetarëve dhe mërgimtarëve që të respektojnë rregullat, duke kujtuar mesazhin e fushatës: “I lodhur? Pushoni! Më mirë vonë në destinacion, sesa kurrë.”





