Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, së bashku me delegacionin britanik.
Gjatë takimit, Jashari e ka njoftuar ambasadorin për zhvillimet, aktivitetet dhe planet e ardhshme të FSK-së, duke falënderuar Britaninë e Madhe për mbështetjen në ngritjen e kapaciteteve të kësaj force.
Palët diskutuan edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, si dhe u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, trajnimeve dhe zhvillimit profesional të pjesëtarëve të FSK-së.
Në përfundim të takimit, ambasadori Hargreaves vlerësoi lidershipin e gjeneralit Jashari dhe u zotua për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.




