Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për tentim të futjes së drogës në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku i përfshirë dyshohet të jetë edhe një zyrtar korrektues.
Sipas Prokurorisë, zyrtari korrektues S.D. dyshohet se kishte tentuar të fuste në institucion rreth 85.61 gramë marihuanë, të cilën e kishte fshehur në trup. Substanca narkotike ishte zbuluar gjatë një kontrolli pas marrjes së informatave operative.
Në këtë rast dyshohet se është përfshirë edhe një i burgosur, A.D., i cili sipas aktakuzës kishte organizuar dhe koordinuar futjen e drogës në këmbim të parave.
Ndërkaq, B.T. dyshohet se kishte siguruar dhe dorëzuar substancën narkotike, si dhe i kishte ofruar 1 mijë euro ryshfet zyrtarit korrektues për të vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Për zyrtarin korrektues është kërkuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik./eo/




