Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri tani në selinë e partisë nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Ai tha se çdo kërkesë që përmbush kriteret statutare do të shqyrtohet me seriozitet, por aktualisht nuk ka asnjë iniciativë të formalizuar brenda partisë.
Ferati ka theksuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i shmanget proceseve të brendshme demokratike dhe se partia është e gatshme të respektojë procedurat statutare.
Duke folur për ish-presidenten Vjosa Osmani, ai tha se ajo vazhdon të jetë pjesë e listës së LDK-së dhe se prioritet i partisë mbetet formimi i institucioneve të Kosovës.
Ferati u bëri thirrje strukturave të LDK-së që debatet dhe pakënaqësitë t’i trajtojnë brenda forumeve të partisë, e jo përmes deklaratave publike./EO/




