Rreth 80 persona dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimeve në një lokal fast-food në Han të Elezit.
Sipas burimeve nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në këtë qytet, personat kanë kërkuar trajtim mjekësor pas dyshimeve për helmim nga ushqimi, ndërsa dyshohet se shkak kanë qenë pica dhe sendviçë.
Katër pacientë, të cilët kanë pasur gjendje më të rënduar shëndetësore, janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa raportohet se gjendja e tyre është stabile.
Në lidhje me rastin, në terren kanë dalë edhe zyrtarë të Institutit Rajonal të Shëndetit Publik, të cilët kanë kryer verifikime në QKMF dhe në biznesin ku dyshohet se ka ndodhur rasti.
Policia e Rajonit të Ferizajt ende nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë rast.




