Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Kelkheim në Gjermani, ku një grua dyshohet se është vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj në qendër të qytetit.
Rasti ka ndodhur të martën mbrëma, më 14 korrik, rreth orës 21:00, në rrugën “Frankfurter Straße”. Sipas raportimeve, gruaja ka pësuar plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Disa kalimtarë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arritur ta ndalojnë të dyshuarin deri në mbërritjen e policisë. I dyshuari është arrestuar nga autoritetet, ndërsa gjatë përleshjes dyshohet se ka pësuar lëndime të lehta.
Pas ngjarjes, policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet. Ekipet kriminalistike kanë mbledhur prova dhe kanë marrë deklarata nga dëshmitarët që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes, ndërsa po shqyrtohen edhe provat e mundshme nga kamerat e sigurisë në zonë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se pas arrestimit të të dyshuarit nuk ka pasur më rrezik për qytetarët. Për të dyshuarin vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.




