Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ndërmerren masa më të ashpra ndaj Serbisë, deri në momentin kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq të reagojë ndaj deklaratave të ministres serbe, Jelena Paunoviq.
Duke folur në një intervistë për “Ditari i Fundjavës” në A2CNN, Sveçla e ka cilësuar si të pamjaftueshëm reagimin e deritanishëm të Bashkimit Evropian, duke kërkuar izolim të institucioneve serbe në rast se nuk merren masa ndaj zyrtarëve që përdorin gjuhë nxitëse.
Sipas tij, deklaratat e tilla bien ndesh me vlerat evropiane dhe standardet demokratike. Sveçla ka thënë se Vuçiq duhet të ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës dhe, sipas tij, edhe përgjegjësi ligjore.
Ai ka shtuar se vetëm deklaratat publike nuk janë të mjaftueshme dhe se kërkohen veprime konkrete nga institucionet e Serbisë./EO/




