Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë gjeneralmajorin Aleksandër Krone, komandant i Divizionit të Parë Gjerman të Blinduar.
Gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon dhe angazhimet e KFOR-it për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Gjeneralmajor Ulutaş ka prezantuar aktivitetet aktuale dhe prioritetet kryesore të misionit, ndërsa ka vlerësuar kontributin shumëvjeçar të Gjermanisë në kuadër të KFOR-it.
Të dy zyrtarët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit për përballimin e sfidave të sigurisë në rajon.




