Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për krizën aktuale politike në vend.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Zemaj ka thënë se vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe mosformimi i qeverisë së re janë “përgjegjësi e atij që e ka shumicën”.
Por, sipas tij VV-ja nuk i ka numrat për qeveri, andaj edhe është zvarritur kaq gjatë formimi i institutcioneve. Mirëpo, sipas Zemajt, ende më e dëmshme se mos-formimi i institutcioneve, është mbajtja e dy pozitave nga kryeministri dhe ministrat në detyrë “në mënyrë të paligjshme” dhe “marrja e vendimeve ekzekutive”. Për këtë, ai ka thënë se duhet të pasojnë veprime nga Prokuroria e Gjykata.
“Shkelja e rregullores, ndryshimi i rendit të ditës, mbajtja e dy pozitave, tendencat që të zgjedhin njëanshëm nënkryetarët e Kuvendit, krejt kjo ka prolonguar dhe ka dërguar situatën në Gjykatën Kushtetuese, duke vendosur masa dhe duke marrë të gjithë këtë kohë në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë”, theksoi ai.




