Sot, gjatë një kontrolli të zakonshëm në pikën kufitare Hani i Elezit, zyrtarët doganorë kanë ndaluar dhe kontrolluar një veturë që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit u zbuluan mallra të ndryshme, përkatësisht artikuj tekstili dhe parfume, për të cilat dyshohej se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.
Në përputhje me procedurat ligjore, mallrat janë konfiskuar, ndërsa ndaj personit të përfshirë janë inicuar procedura për kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës u rikujton qytetarëve se është e përkushtuar për parandalimin e hyrjes dhe qarkullimit të mallrave të falsifikuara në tregun vendor dhe për zbatimin rigoroz të ligjit për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.





