Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave të dyshuar për krime lufte në fshatin Kalludër e Vogël, në Zubin Potok.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, e cila po heton dyshimet për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë gjatë prillit të vitit 1999.
Sipas dyshimeve të hetuesisë, viktimat ishin ndaluar, plaçkitur dhe më pas vrarë, ndërsa trupat e tyre ishin varrosur pranë lumit në Kalludër të Vogël.
Gjatë gërmimeve të zhvilluara ditët e fundit, janë gjetur mbetje mortore dhe fragmente veshjesh, të cilat dyshohet se u përkasin viktimave.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se për shkak të procedurës hetimore nuk do të japë më shumë detaje në këtë fazë.




