Ish deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se i tërë mekanizimi shtetëror i Kosovës duhet të mobilizohet në realizimin e një mbrojtjeje me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, që do të demantonte pretendimet e raportit të Dick Martit dhe të shërbimeve sekrete serbe e ruse.
Berisha tha në intervistë për Ekonomia Online se cilësimi i UÇK-së si ndërmarrje kriminale është një dëm i madh për kauzën e lirisë.
“I tërë mekanizimi shtetëror i Kosovës duhet të mobilizohet në realizimin e një mbrojtjeje, e cila do t’i demantojë të gjitha pretendimet e raportit të Dick Martit, që është miratuar dhe është raporti i Këshillit të Evropës”, tha Berisha.
Ai kritikoi ashpër edhe kryetarin aktual të Kuvendit, Dimal Basha, i cili ishte bashkautor në një punim akademik ku përmendet se UÇK-ja është financuar edhe nga trafikantë droge. Sipas tij, kjo i ka shkaktuar dëm të madh kauzës së UÇK-së dhe vetë dinjitetit të shtetit, duke shtuar se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë rrezik.




