Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar veprimin e vendeve mike të Kosovës që Albin Kurtin të mos e takojnë më në Zyrën e Kryeministrit. Ai ka bërë me dije se nëse aleatët e Kosovës do ta konsideronin Kurtin si kryeministër në detyrë atë do ta takonin në zyre.
“Siç e kam thënë prej ditës së parë, nëse je kryeministër në detyrë nuk të presin kafeve por të presin në zyre. Mospritja e zyrtarëve të shteteve mike dhe strukturave euroatlantike e ka kuptimin që nuk je kryeministër por je uzurpator”, ka thënë Hasani.
Muajin e kaluar, Albin Kurti është kritikuar nga BE-ja për mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Supreme, i cili ka vlerësuar se dikush që është zgjedhur deputet nuk mund të ushtrojnë edhe poste ekzekutive.
Përmes një letre, shefat e misioneve të BE-së i kanë treguar Kurtit së më nuk do t`i shkojnë në zyre të kryeministrit.
Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë,ka shkruar në letër.




