Sot është raportuar për një skandal në Spanjë, ku Federata e Futbollit të këtij shteti, Kosovës i ishte referuar si “Territori i Kosovës”, duke vënë në pah edhe një herë mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës.
Mirëpo Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka qëndruar duarkryq dhe ka reaguar menjëherë duke iu drejtuar me një letër UEFA-së, përkatësisht presidentit të saj Aleksandër Çeferin.
Në atë letër, FFK shpreh shqetësimin e saj duke shkruar se nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë nga ana e Federatës Spanjolle.
FFK ka kërkuar një reagim të menjëhershëm për këtë qështje si dhe një pranim zyrtar nga Federata Spanjolle që të pranojnë se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-së.
FFK shpreson dhe beson se do të vazhdojë të trajtohet si një anëtare e barabartë e UEFA-s, jo vetëm nga vetë UEFA, por edhe nga të gjitha federatat tjera kombëtare.
Kosova U21 sot pritet të zhvillojë ndeshjen ndaj Spanjës U21 në stadiumin “Fadil Vokrri” në ora 19:00.





