Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar për situatën politike dhe mosfunksionalizimin e plotë të Kuvendit, duke u bërë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut.
Në reagimin e saj, Ambasada ka theksuar rëndësinë e Kuvendit për demokracinë, mbikëqyrjen e qeverisë dhe miratimin e ligjeve.
Sipas saj, Kosova ka kaluar shumë ditë pa një Kuvend plotësisht funksional gjatë dy viteve të fundit, duke vlerësuar se përgjegjësia për tejkalimin e kësaj situate u takon politikanëve.
Ambasada britanike ka kërkuar që subjektet politike të bashkëpunojnë urgjentisht dhe të përdorin dialogun e negociatat paqësore për zgjidhjen e krizës, në interes të qytetarëve dhe partneriteteve ndërkombëtare të Kosovës.




