Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim për mungesën e përgjigjes së Qeverisë në detyrë ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike lidhur me dorëheqjet e ministrave që janë zgjedhur deputetë.
GLPS ka bërë të ditur se më 6 gusht i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit me kërkesë për listën e ministrave që kanë dhënë dorëheqje, datat e dorëheqjeve dhe vendimet përkatëse.
Sipas GLPS-së, Zyra e Kryeministrit nuk është përgjigjur brenda afatit ligjor prej shtatë ditësh, duke e cilësuar këtë si shkelje të detyrimeve ligjore dhe cenim të transparencës institucionale.
Për këtë arsye, GLPS ka bërë të ditur se më 17 gusht ka dorëzuar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke kërkuar që ZKM-ja të obligohet t’i ofrojë dokumentet e kërkuara.
GLPS i ka bërë thirrje Qeverisë që pa vonesa të publikojë informacionet përkatëse dhe të japë llogari për veprimet dhe mosveprimet e saj.




