Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia do ta dërgojë në Prokurori çështjen e 18 vendimeve të Qeverisë për themelimin e komisioneve që, sipas tij, lidhen me emërime në agjenci dhe pozita publike.
Tahiri ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po vazhdon me procedura të reja të emërimeve, pavarësisht kufizimeve që, sipas tij, i ka një qeveri në detyrë.
Ai ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtyre vendimeve dhe ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.
“Si Aleancë nuk do të lejojmë që të kemi një parti shtet. Këto vendime të jashtëligjshme duhet të anulohen menjëherë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, kjo nuk është e vetmja çështje ku ka shkelje dhe Aleanca do të ngrejë edhe raste të tjera që lidhen me ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga deputetët.




