FIFA dhe UEFA pritet të ndërmarrin veprime kundër Federatës Serbe të Futbollit për shkak të sjelljes së tifozëve të tyre gjatë fitores së Anglisë në kualifikueset e Kupës së Botës në Beograd.
Federata Serbe e Futbollit lëshoi një deklaratë përpara ndeshjes duke u bërë thirrje tifozëve të sillen mirë, duke shtuar se organi drejtues ishte gjobitur me 600,000 funte nga FIFA dhe UEFA për shkelje të përsëritura të rregullave nga mbështetësit e Serbisë.
Përpara dhe gjatë ndeshjes, tifozët serbë mund të dëgjoheshin duke brohoritur “Kosova është Serbi”, teksa u panë gjithashtu duke valëvitur një banderolë provokuese që tregonte hartën e Kosovës të mbuluar me ngjyrat e flamurit serb.
Ndërkohë, në një incident të veçantë, policia u detyrua të hynte në tribuna pasi tifozët vendas filluan të këndonin këngë antiqeveritare dhe përkrahësit kriminelë të Aleksandr Vucicit filluan t’i rrahin njerëzit që këndonin këto këngë.
FIFA dhe UEFA ende nuk kanë lëshuar një deklaratë mbi incidentet me tifozët, por Federata Serbe e Futbollit pritet të përballet me ndëshkime të mëtejshme, duke përfshirë gjoba të mundshme dhe mbyllje të stadiumit.





