Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar që institucionet kompetente të verifikojnë plotësisht pretendimet e bëra publike lidhur me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe një dokument të cilësuar “Top Secret”.
Tërnava i ka cilësuar si shumë të rënda pretendimet se BIK-u ka qenë nën ndikimin e shërbimeve serbe dhe se objektet fetare në Kosovë janë financuar nga Serbia.
Ai ka kërkuar që të hetohen autenticiteti, autorësia, burimi dhe mënyra e përdorimit të dokumentit, duke theksuar se çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe prova.
Deklarata vjen pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh dhe shantazh, ku një dokument në gjuhën serbe është paraqitur si pjesë e provave të rastit./EO/




