Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se në rast të lirimit të Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale në Hagë, ai duhet të rikthehet në krye të Presidencës së Kosovës.
Duke folur në emisionin “Rubikon”, Musliu tha se kthimi i Thaçit në Kosovë, nëse ai shpallet i pafajshëm dhe lirohet, do të duhej të shoqërohej me një qëndrim të përbashkët të spektrit politik.
Sipas saj, institucionet dhe partitë politike do të duhej të ndërmerrnin një veprim solemn për ta rikthyer Thaçin në postin e presidentit.
Musliu u shpreh se Thaçi, pas largimit nga Presidenca, kishte zgjedhur të përballej me drejtësinë dhe të bashkëpunonte me organet gjyqësore, duke udhëtuar drejt Hagës.
Ajo tha se, në rrethanat aktuale politike, mbetet vetëm të pritet vendimi i Gjykatës Speciale, duke shprehur shpresën se drejtësia do të vihet në vend.
Musliu përmendi 16 shtatorin si një datë të rëndësishme për zhvillimet që lidhen me rastin e Thaçit në Hagë.




