Karabinierët italianë nga ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), pjesë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) në kuadër të misionit të KFOR-it, kanë dhuruar pajisje mjekësore për Kryqin e Kuq të Kosovës.
Donacioni përfshin tre defibrilatorë të jashtëm gjysmëautomatikë (AED) dhe një manekin për trajnime. Pajisjet pritet të rrisin kapacitetet e Kryqit të Kuq për reagim në raste emergjente.
Në ceremoninë e donacionit morën pjesë komandanti i MSU-së, koloneli Gianfranco Di Fiore, presidentja e Kryqit të Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, si dhe sekretari i Kryqit të Kuq të Prishtinës, Agron Humolli.
KFOR-i ka theksuar se kjo nismë pasqyron përkushtimin e misionit për bashkëpunim me partnerët lokalë dhe për mbështetjen e sigurisë, shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve në Kosovë.




