Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet që të enjten të vendosë për kryetarin e Gjykatës Administrative, ku në garë janë dy kandidatë, Kreshnik Kaçiu dhe Liridona Ajeti-Kajtazi.
Çështja është pjesë e rendit të ditës së mbledhjes së 372-të të KGJK-së, e cila përfshin gjithsej 18 pika.
Pas intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve, Komisioni për Vlerësim ka përgatitur rekomandimin për KGJK-në. Vendimi përfundimtar do të merret përmes votimit të fshehtë, ndërsa i zgjedhur konsiderohet kandidati që siguron shumicën e thjeshtë të votave.
Gjykata Administrative, me seli në Prishtinë, është hapur zyrtarisht më 5 maj 2026 dhe funksionon në katër departamente: Fiskal, për Konteste të Punës, për Skema Sociale dhe Pensione, si dhe Departamentin e Përgjithshëm.
Në mbledhjen e së enjtes, KGJK-ja do të shqyrtojë edhe raportet e kryetarëve të gjykatave për periudhën prill-qershor 2026 dhe çështje të tjera të parapara në rendin e ditës.




