Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën. Një vendim i tillë rrezikon të minojë një nga partnerët më besnikë të SHBA-së në rajon, duke krijuar në të njëjtën kohë hapësira për Serbinë, e cila po rreshtohet hapur me Kinën, Rusinë dhe Iranin.
“Kosova mbetet një nga vendet më pro-amerikane në botë, me një përkushtim të palëkundur ndaj paqes, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që hapet një proces i ngjashëm me Beogradin, përçon një mesazh shqetësues dhe krijon rrezikun e destabilizimit të rajonit duke inkurajuar ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë përmes Listës Serbe.”thuhet në komunikat.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, si fituesi i parë i zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe forcave të tjera politike në Kosovë, që të gjejnë konsensus rreth interesave madhore të shtetit dhe kombit. Njëkohësisht, inkurajohet rifillimi i dialogut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.




