Një grua 59-vjeçare ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në veriun e Mitrovicës, e cila dyshohet se ka rënë në kanalin e Ibër-Lepencit.
Policia njofton se rreth orës 07:20, njësitë policore në Zubin Potok kanë pranuar informatën se një person kishte dalë nga shtëpia e tij në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 06:40, dhe dyshohej se kishte rënë në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Rreth orës 08:00 diku rreth 3 kilometra nga vendi ku dyshohej se kishte rënë viktima, është gjetur trupi i pajetë në ujërat e kanalit të Ibër Lepencit dhe e njëjta është nxjerrë jashtë kanalit”, ka njoftuar policia.
Në vendngjarje kanë dalë ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen, si dhe njësitë e hetimeve rajonale.
“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit dhe me urdhër të tij, trupi i pa jetë është dërguar për obduksion”, ka bërë të ditur policia.




