Institucione të ndryshme që merren me organizimin e zgjedhjeve në shtetet e tyre, pritet të vijnë në Kosovë për të përcjellur nga afër procesin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Të njëjtit do të mund të vëzhgojnë nga afër jo vetëm procesin e votimit në ditën e zgjedhjeve më 12 tetor, por edhe aspektet e ndryshme organizative.
Në një deklarim për EkonomiaOnline, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se lista e këtyre institucioneve të zgjedhjeve do të bëhet e ditur pasi të përfundojnë procedurat e akreditimit.
Sipas KQZ-së, vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor për forcimin e besimit të qytetarëve dhe të akterëve të tjerë në drejtësinë dhe transparencën e zgjedhjeve, duke siguruar që ato zhvillohen në përputhje me standardet më të larta demokratike.




