Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë një financim prej 90 milionë eurosh nga Banka Botërore, nëse Kuvendi nuk e ratifikon marrëveshjen deri në shtator.
Ky financim është i veçantë sepse ka normë interesi 0%, një mundësi që pak shtete e kanë pasur. Murati tha se këto fonde janë siguruar falë reformave dhe menaxhimit të mirë të financave publike.
Sipas tij, përgjegjësia për bllokimin e këtij procesi bie mbi opozitën, e cila po pengon konstituimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe miratimin e marrëveshjes.
“Nëse nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku i madh që këto mjete t’i jepen një shteti tjetër. Banka Botërore nuk mund të na presë pafundësisht,”- ka theksuar Murati.
Ai apeloi që partitë opozitare të lënë anash inatet politike për të mirën e vendit.




