Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë në pah mangësi serioze në kontrollet funksionale dhe teknike të aplikacioneve të platformës E-Kosova, duke rrezikuar saktësinë e të dhënave dhe integritetin e shërbimeve elektronike për qytetarët.
Auditimi i Teknologjisë së Informacionit mbi “Platformën e shërbimeve online e-Kosova” për periudhën 2024 – qershor 2025 ka fokusuar shërbimet “Shtesat për fëmijë”, “Tatimi në pronë”, “Subvencionimi i librave” dhe modulin “Pagesat elektronike”.
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, e cila menaxhon platformën, sipas ZKA-së, nuk ka vendosur standarde të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave dhe nuk garanton mjedis të sigurt informacioni për shkak të politikave të vjetruara dhe mungesës së tyre.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se platforma ka shënuar përparim në digjitalizimin e shërbimeve publike, por sfidat mbeten në integrimin e sistemeve, sigurinë e informacionit, kontrollin dhe besueshmërinë e të dhënave, si dhe në vazhdimësinë e biznesit.




