Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka informuar opinionin publik se më 23.06.2025 ka pranuar zyrtarisht nga Instituti Albanologjik të Prishtinës njoftimin për mbledhjen e Këshillit Drejtues të mbajtur më 20.06.2025, në të cilën u mor vendimi për caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni.
Sipas MAShTI-t, mbledhja është zhvilluar me shkelje procedurale, përfshirë mungesën e kuorumit të nevojshëm për marrjen e vendimeve. Kjo është bërë e ditur edhe përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“Pas pranimit të të gjitha informatave zyrtare lidhur me këtë proces, MAShTI do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me mandatin ligjor,” thuhet në njoftim.
Kujtojmë se ditë më parë, Meliza Krasniqi është emëruar ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institutit Albanologjik në Prishtinë.




