Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është përfunduar shtypja e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Fletëvotimet pritet të arrijnë sot në Kosovë.
Shtypja është realizuar në shtypshkronjën me siguri të lartë “Cetis” në Celje të Sllovenisë, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit të saj.
Gjithashtu, janë përgatitur edhe broshurat e kandidatëve të Zgjedhjeve Lokale 2025, të cilat do të shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.
Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve do të shtypen gjithsej 3,600,820 fletëvotime, nga të cilat 1,800,410 për secilën lloj të zgjedhjeve. Ky numër përfshin të gjitha mënyrat e votimit: në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe rezervat.





